Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
SHIRÍT,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Copë e gjatë dhe e ngushtë prej pëlhure, prej letre etj., që përdoret për punë të ndryshme, për zbukurime; gajtan, fjongo; pëlhura a materiali që e përmban këtë rrip. Shirita dekorues. Shirit i hollë. Shirit letre (mëndafshi, kadifeje). Shirit i gjatë (i ngushtë, i gjerë). Shirit i bardhë (i verdhë). Jelek me shirita. Vargje zbukurimi me shirita. Shirit i zi rrip pëlhure me ngjyrë të zezë që vihet në xhaketë në shenjë zie. Shirit i kuq rrip prej cope të kuqe që e vë në krah dikush kur është ngarkuar me një shërbim të caktuar. Pres shiritin (e përurimit të një vepre ndërtimi, të një ekspozite etj). Shiriti i librit rrip i ngushtë prej mëndafshi, që shërben për të ruajtur faqen e librit që po lexohet. Shirit shërbimi. (usht.) rrip i gjerë prej pëlhure të kuqe me mbishkrimin përkatës, që vë në krah ushtaraku gjatë shërbimit. Shiriti i mbërritjes (sport.) rrip pëlhure që vendoset në vendin e mbërritjes së sportistëve në përfundimin e një gare. Shirit kufizues rrip plastik që vihet në rast aksidentesh ose kufizimesh në rrugë.
2. spec. Rrip i hollë e i ngushtë prej letre, prej metali etj., që përdoret në teknikë etj.; Shirit i çeliktë. Shirit magnetik. (spec.) rrip i hollë e i ngushtë me veti elektromagnetike, që shërben për të regjistruar zërin ose figurat. Shirit magnetofoni. (spec.) Shiriti i telegramit rrip letre mbi të cilin aparati marrës shtyp tekstin e një telegrami. Shirit makine rrip i ngushtë që përdorej në makinat e shkrimit. Shirit mitralozi. (usht.) rrip metalik me fole për fishekët e mitralozit. Shirit me fishekë. Shirit filmi rrip i përbërë nga imazhe të ndryshme të projektuara si diapozitiva. Shirit led diodë një dritë elektrike në formën e një tubi të hollë.
3. vjet. Rrip i hollë në ngjyrë ari, të kuqe etj., që vihej zakonisht në mëngët e uniformës ushtarake për të shënuar gradën ushtarakut. Shirita oficeri (nënoficeri). Me dy (me tre) shirita. I shtuan edhe një shirit. I vunë shiritat e graduan. I hoqën shiritat i hoqën gradat.
4. zool. (lat. Taenia solium) Krimb i gjatë me trup të përbërë prej një numri të madh unazash të shtypura, që jeton si parazit në zorrët e njeriut dhe të disa kafshëve gjitare; lëvrizë, tenjë. Shiriti i njeriut (i kaut, i derrit, i qengjave, i qenit). Koka e shiritit. Sëmundja e shiriti të derrit. - I daltë shiriti! (mallk.)
5. fig. Diçka që shtrihet si një brez i ngushtë e i gjatë. Shiriti i lumit. Shiriti i rrugës (i hekurudhës).
6. si mb. Që ka trajtën e një rripi të ngushtë prej metali a prej një lënde tjetër. Sharrë shirit. Metër shirit.
✱Sin.: gajtan, kordele, fjongo, bandë, çapraz, çapar, jetull, dredhëz, hulli, fashë, buqme, lëvrizë, tenjë, krimb, dizgë, oviskë.
♦ Është bërë shirit (dikush) shih është bërë kockë e lëkurë (dikush). Më bëhet shirit (diçka). 1. Nuk ha dot bukë a diçka tjetër me qejf, nuk më shkon buka poshtë, ha me zor e pak e nga pak, mezi e gëlltit bukën e gjellën, pasi nuk më pëlqen a nuk kam oreks; më bëhet shkarpë. 2. Më zgjatet shumë një punë, mezi e mbaroj ngaqë nuk jam i zoti ose ngaqë më vete ters. Ka shiritin (në bark) (dikush). 1. Ha dhe s’ka të ngopur; ha shumë e nuk shëndoshet; ka sprijën (në bark) krahin. 2. Është shumë lakmitar, s’ka të ngopur me diçka, është si lubi; ka sprijën (në bark) krahin. Më ka vënë (më ka zënë) buza shirit jam lodhur shumë nga një punë e rëndë ose nga vapa, jam rraskapitur; më doli shkumë (nga goja); u bëra për shkalc.
VETULLÇAPÁR,~E mb. 1. Që i ka vetullat të holla, e të bukura si çapar; që i shkëlqejnë, si fijet e çaparit. Vajzë vetullçapar. Me sytë e zi e vetullçapar. Djalë vetullçapar.
2. Që është trim e sypatrembur. Ai trimi vetullçapar.
✱Sin.: vetullgajtan, vetullhollë, vetullibërshim, vetullbiskonjë, vetullkreshnik.
VETULLÇAPÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që i ka vetullat të holla e të bukura si çapar; që i shkëlqejnë si fijet e çaparit. Ai vetullçapari me sytë të shkruar.
2. Ai që është trim e sypatrembur. Nuk i trembet syri atij vetullçaparit.
✱Sin.: vetullgajtan, vetullhollë, vetullibërshim, vetullbiskonjë.
VETULLÇAPÁR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Ajo që i ka vetullat të holla e të bukura si çapar; që i shkëlqejnë si fijet e çaparit. Ajo vetullçaparja me sy të zinj.
✱Sin.: vetullgajtan, vetullhollë, vetullibërshim, vetullbiskonjë.
ÇAPÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Shirit me fije ari ose argjendi si zbukurim në veshje; gajtan mëndafshi. Çapar ari (mëndafshi). Çaparët e fustanit. I vë çaparë. Zbukuroj me çaparë. I varen çaparët.
2. Vijë e ndritshme në lëkurën e një kafshe. Gjarpër me çaparë. Lopë me çaparë. E ka kurrizin me çaparë.
3. krahin. Fitili i llambës. Ndreqe atë çapar.
✱Sin.: gajtan, shirit, kordele, fitil.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë