Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
TENJÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që mendon vetëm për të bërë keq; dashakeq, i poshtër; njeri tenjë. Është një tenjan ai që s’i gjendet shoku.
2. Njeri që të dëmton pa e kuptuar, tinëzar i madh, njeri që bën të keqen dhe e fsheh, njeri që hedh gurin e fsheh dorën, njeri që punon (vepron) nën rrogoz, njeri që vepron fshehurazi e me dredhi, njeri që vepron prapa krahëve, kongjill i mbuluar. Tenjan i madh.
3. si mb. Që mendon vetëm për të bërë keq; dashakeq, i poshtër; tenjë. Njeri tenjan.
✱Sin.: dashakeq, tinëzar, tenjë.
TÉNJ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool. 1. Flutur me madhësi e ngjyra të ndryshme, që e ka larvën si vemje të hollë dhe që bren e dëmton shumë bimët, dyllin, ushqimet; vemje, vemizë.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje tenjash që gjenden nëpër bimë të ndryshme, prej nga marrin edhe emrin. Tenja e ullirut (e hardhisë, e fikut). Tenja e drithit. Tenja e lakrës (e patates, e qepës). Tenja e miellit (e hambarit). Tenja e dyllit. Lufta kundër tenjës. I ka hyrë tenja bletës. Është dëmtuar nga tenja.
3. Molë. Tenja e rrobave. E ka ngrënë tenja rrobën (qilimin, velenxën).
4. Lëvrizë, shirit. I gjetën tenjë në bark. Është si tenjë është shumë i hollë, është shumë i dobët. I hyftë (i rëntë) tenja! (nëmë).
5. Krimb i drurit, brisë, kërrmi, kri. Ahut (pishës) i ka hyrë tenja. Tenja e gjësë së gjallë (veter.) kërrnjotë, butër. Të bren si tenjë të shkatërron në heshtje pa u ndier.
6. si mb. Dashakeq, qëllimkeq, përçarës; tenjan. Plak (plakë) tenjë.
✱Sin.: vemje, vemizë, molë, shirit, krimb, brisë, kërrmi, kri, kërrnjotë, butër.
♦ I ka hyrë tenja (dikujt). 1. Po e bren sëmundja nga brenda, i ka hyrë sëmundja. 2. E ka zili a inat dikë, nuk është i qetë derisa t’i bëjë keq.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë