Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
APLIKÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Zbatoj.
2. Paraqes kërkesë diku a për diçka (për punësim, për pozicion pune, për të ndjekur një program studimi, për t’u pranuar si anëtar në një organizatë, për mjete financiare, për të fituar shtetësinë, për një leje, për vizë turistike a pune, për çështje administrative etj.). Aplikoj në Ministri për punësim. Si mund të aplikoj për studime pasdiplomike? Si mund të aplikoj për pjesëmarrje në garë? Aplikoi për pasaportë shqiptare. Aplikoni për rimbursim për çmimin e biletës! Aplikoi përmes internetit.
3. Vë në përdorim një metodë, një mjet etj.; vë në funksion një aparat, një makinë, etj.; e bëj të plotfuqishëm (një ligj, një rregullore, një vendim etj.); zbatoj. Aplikoj metodën me laser. Aplikuan rregulloren e re.
4. Përdor diçka (një bar në lëkurë, etj.) Aplikoi kremin në fytyrë. Aplikuan trajtim masazhi. Aplikuan zbardhues për pllakat e korridorit.
DIPLOMATÍK,~E mb. 1. Që lidhet me diplomacinë, i diplomacisë; që merret me diplomaci. Marrëdhënie diplomatike. Përfaqësues diplomatik nëpunës i ngarkuar nga qeveria për ta përfaqësuar atë në marrëdhëniet me botën e jashtme. Trupa diplomatike diplomatët e huaj pranë një shteti. Përfaqësia diplomatike. Mision diplomatik institucion i përfaqësimit të një shteti në shtetin pritës ose pranë një organizate ndërkombëtare. Pasaportë diplomatike.Notë diplomatike. Në rrugë diplomatike. Çantë (valixhe) diplomatike (zyrt.) çantë (valixhe) për dokumente etj. nga ambasada ose për ambasadën, që kalojnë pa u kontrolluar në doganë.
2. fig., bised. Që bëhet me mënyra të stërholluara, me shkathtësi, me mjeshtëri a me dredhi të hollë ose me një takt të veçantë për të arritur një qëllim të caktuar; që bëhet me diplomaci. Pyetje (përgjigje) diplomatike. Veprim diplomatik. Gjuhë diplomatike (zyrt.) shprehje e ndërlikuar dhe e errët e mendimeve, e përdorur nga diplomatët
PAFALSIFIKÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që nuk është i falsifikueshëm; që nuk mund të falsifikohet; kund. i falsifikueshëm. Dokument i pafalsifikueshëm. Pasaportë (firmë) e pafalsifikueshme.
PASAPÓRT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Letërnjoftim i posaçëm, me të cilin pajiset ai që udhëton jashtë shtetit. Pasaportë diplomatike (dipl.). Pasaportë shërbimi. Nxjerr pasaportën. Pasaportë biometrike.
2. bised., vjet. Letërnjoftim. Paraqiti pasaportën.
3. Dokument, me të cilin pajiset një makinë, një aparat etj., ku përshkruhen karakteristikat teknike, jepen udhëzime për përdorimin, për mirëmbajtjen etj. Pasaporta e makinës. Shoqërohet me pasaportë.
SHÉNJ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Njollë a hije që mbetet nga prekja ose shtypja e diçkaje në një sipërfaqe. Shenjë sipërfaqësore (e thellë). Shenjat e gishtërinjve (në pasaportë).
2. Gjurmë që mbetet në lëkurë nga një plagë, nga një goditje a nga një sëmundje, mbresë. Shenjat e fruthit. Shenja e prerjes. Lia mund të lërë shenja.
3. Nishan, pullë etj. që ia bëjmë një sendi, një kafshe me të djegur, me të prerë, me bojë etj. për ta dalluar a për ta njohur (a për ta prerë, për drurët); diçka që i vihet a i lidhet një njeriu, një kafshe, një shpendi etj., për ta veçuar a për ta njohur. Shenjë dalluese. Viçit i bëri një shenjë të ndryshme nga e ëma. Shenjë personale. usht. numri i regjistrit të ushtarit, shenjat e gradave të oficerit etj. I vuri një shenjë në ballë. U bëj nga një shenjë drurëve (që do të priten).
4. Njollë e vogël a pikë me ngjyrë të ndryshme, që ka njeriu në fytyrë ose në trup; nishan. Shenjë e kuqe (e zbehtë). Me shenjë në kurriz. Kishte një shenjë në gjoks.
5. kryes. sh. Karakteristikë e veçantë dalluese, nëpërmjet së cilës mund të njohim një njeri, një kafshë a një send, tipar. Dallohej nga shenjat e veçanta. E njoh nga shenjat.
6. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për viza, vizatime, figura, tinguj etj. të pranuara si simbole që shërbejnë për të na treguar a për të na kujtuar diçka. Shenjat e bardha viza të bardha në rrugë, që shërbejnë për të treguar vendin ku lejohet kalimi i këmbësorëve. Shenja astronomike. astr. vizatime që përdoren në astronomi për të përfaqësuar planetët dhe trupat e tjerë qiellorë. Shenjat e Zodiakut astr. dymbëdhjetë yjësitë për parashikimin e fatit (Dashi, Demi etj.). Shenja diakritike. gjuh. viza të veçanta, pika etj. që, duke iu bashkuar një shkronje, tregojnë se ajo përfaqëson një tingull tjetër (p.sh. dy pikat e shkronjës ë ose bishti i shkronjës ç). Shenja grafike tërësia e shkronjave, e shifrave dhe e shenjave të pikësimit që përdoren në shkrim. Shenja konvencionale figura, vizatime etj. që përdoren në fusha të ndryshme të shkencës, të artit, të teknikës etj., me vlera e me kuptime për të cilat njerëzit janë marrë vesh që më parë. Shenjë gjuhësore gjuh. entitet psikik me dy anë, konceptin dhe imazhin akustik. Shenja matematike. mat. simbole që përdoren për të shënuar veprime ose vlera të ndryshme matematike (mbledhja +, zbritja – etj.). Shenjë monetare. fin. figura dhe shënime që shtypen ose që gdhenden në një monedhë. Shenja e kryqit fet. riprodhimi me gjeste i figurës së kryqit mbi të cilin vdiq Jezu Krishti e që bëhet nga prifti ose nga besimtarët e krishterë. Shenjat e pikësimit. gjuh. mjete grafike (pika, presja, pikëpresja, dy pikat, pikëpyetja, pikëçuditja, thonjëzat, kllapat, viza etj.) që ndihmojnë organizimin me shkrim të mendimeve tona sipas rregullave të caktuara. Shenja zero. gjuh. zakonisht një mbaresë, e cila nuk është shfaqet materialisht me mjete gjuhësore. Shenja tipografike. Shenjat e muzikës. Shenjat e qarkullimit sistem vizash e figurash që paralajmërojnë shoferët dhe këmbësorët dhe rregullojnë qarkullimin. Shenjat e lundrimit. Shenjë detyrimi. Shenja e alarmit (e sulmit, e tërheqjes). Shenja e fillimit të lojës. Shenjat e komandave ushtarake. Shenjë e përhershme kadastrale drejt. shenjat e vendosura pas përfundimit të matjeve kadastrale dhe të paraqitura pas regjistrimit të kufirit zyrtar në kadastër. Shenjë e përkohshme kadastrale drejt. shenjat e vendosura në kufijtë e parcelave gjatë procesit të kryerjes së matjeve kadastrale. Shenjë e thirrjes detare drejt. shenjë ndërkombëtare e thirrjes, në shkronja ose numra ndërkombëtarë, të caktuara sipas kritereve të së drejtës ndërkombëtare detare. Jap shenjë me dritë (me flamur, me raketë, me zjarre). Ngul shenjat ngul disa hunj në tokë për të treguar diçka.
7. Fakt, dukuri, gjë, ngjarje etj., nga e cila mund të nxirren të dhëna a mund të zbulojmë diçka tjetër, që na ndihmon të bëjmë deduksione; shfaqje e jashtme e diçkaje, dëshmi që na lejon të kuptojmë natyrën a gjendjen e vërtetë të një njeriu, të një sendi, të një dukurie etj. Hapja e gojës është shenjë e përgjumjes. Shenjat e bukurisë. Shenjë zie. Shenjat e motit (e shiut, e borës, e pranverës, e dimrit). Shenja të vjetra (të reja). Shenja të dukshme (të padukshme). Shenja nafte (benzine) në ujë. Shenjat e dhimbjes (padurimit, frikës, lodhjes, dobësisë). Shenja të mençurisë (diturisë). Shenjat e rënies së diktaturës. Në shenjë kujtimi (respekti, nderimi, falënderimi, mirënjohjeje, miqësie). Në shenjë mëshire (dhembshurie, zemërbardhësie, faljeje). Ka shenja për borë (për shi). Shenja klinike mjek. çrregullime të strukturës ose të funksionit që vërehen te një pacient.
8. Ngjarje, dukuri a fjalë, që sipas besëtytnive, mendohet se paralajmëron diçka të mirë a të keqe; ogur. Shenjë e mirë (e keqe, e kobshme). S’ka shenja. Kishte parë ca shenja.
9. Gjeste a lëvizje që bëjmë me kokë, me duar, me sy etj. që janë pjesë e gjuhës së trupit e të ndërveprimit mes njerëzve e që shërbejnë për të komunikuar, për të shprehur një mendim, një dëshirë a një gjendje shpirtërore, për t’i dhënë dikujt një urdhër, për t’i treguar diçka etj., sinjal. Tund kokën në shenjë dakordësie (mohimi, pohimi). I bëri shenjë me dorë (me kokë, me sy). Me një shenjë të syrit. Ia bëj dikujt me shenjë. Ia tregoi shtegun me shenja. Flet me shenja. Bëri shenjën okej për të treguar miratimin.
10. Objekti tek i cili marrim vijën e shenjimit për qitje; dikush a diçka që duhet qëlluar në qitje me armë, me shigjetë etj.; nishan, shënjestër. E këputi (e rrëzoi, e vrau) shenjën. I bie në shenjë. Marr (vë) diçka si shenjë. Marr shenjë marr nishan. Ka shenjë qëllon mirë, ka nishan.
11. etnogr. Unazat dhe dhuratat e tjera që shkëmbehen në fejesë, nishan. Dita e shenjës. Ndërruan shenjën. Ktheu shenjën prishi fejesën.
12. Pjesë a gjurmë që na tregon për dikë a për diçka. Nuk kishte asnjë shenjë prej tij në atë qytet. U zhduk pa asnjë shenjë. Nuk ka asnjë shenjë (nga trupi i dikujt a nga diçka). Nuk i ngeli asnjë shenjë.
13. etnogr. Pjesët më të mira të një mishi të pjekur (bishti, shpatullat, veshkat etj.), që i vihen përpara mikut për nderim; thelë e ndarë sipas pjesëve të trupit (zakonisht për shpendët). I dha shenjën mikut. Shenjat i ndante i zoti i shtëpisë.
14. Distinktiv. Shenja e Dekoratës “Nënë Tereza”. Shenja e “Medaljes së Lartë të Lirisë”. Kishte katër shenja në gjoks.
✱Sin.: gjurmë, mbresë, blanë, balë, pullë, nishan, tipar, tregues, ogur, nojmë, njollë, zhibël, damkë, pikë, simbol.
♦ I ra në shenjë (dikush) gjeti pikërisht atë që kërkohej, preku thelbin e çështjes; e pa a e kuptoi atë që duhej; qëlloi (goditi) në shenjë; i ra në të (diçkaje); i ra pikës; i ra në fije. Jep shenjë (shenja). 1. (diçka). Tregon një farë gjallërie, bën një farë lëvizjeje; nis të duket a të shfaqet. 2. (dikush). Tregon se është i aftë për një punë a për një veprimtari, tregon se do të bëjë diçka. Nuk jep shenjë jete (dikush a diçka) duket si i vdekur; është si i shkretë. Ka shenja ka shumë mundësi, duket. E ka marrë në shenjë (dikë a diçka) i ka drejtuar goditjet kundër dikujt a kundër diçkaje, e qorton a e shan vazhdimisht; i është qepur; e ka vënë (e ka) në shenjë; e ka vënë në shënjestër. E mban në shenjë (dikë a diçka) tregohet syhapët ndaj dikujt prej të cilit mund t’i vijë ndonjë rrezik, është shumë i vëmendshëm ndaj tij, e vëzhgon paprerë; e ka vënë (e ka) në shenjë. Ndahet në shenjë (dikush) dallohet a veçohet nga të tjerët, shquhet ndër të tjerët nga një veti, nga aftësitë etj.; bie në sy. Qëlloi (goditi) në shenjë (dikush) zbuloi dhe kritikoi pikërisht burimin e një të mete, të një gjendjeje të pakënaqshme etj., qëlloi aty ku duhet; i ra në shenjë; vuri gishtin në plagë. I vë shenjën (dikujt) e dalloj dikë nga të tjerët për t’i besuar një detyrë që kërkon aftësi e zotësi të veçantë ose për ta trajtuar ndryshe, e zgjedh; vë gishtin (mbi dikë). E ka vënë (e ka) në shenjë (në shënjestër) (dikë a diçka) e vëzhgon, e ruan dhe e ndjek si e si t’i gjejë rastin për ta kritikuar a për t’i bërë keq; e sulmon vazhdimisht, e godet sa herë që ia gjen rastin; e mban në shenjë; e ka vënë në nishan; i ka drejtuar shigjetën (dikujt a diçkaje); e ka bërë tabelë qitjeje libr. Vë shenjën e barazimit libr. e quaj dikë a diçka të barabartë me një tjetër, i barazoj ndërmjet tyre, i paraqit si të njëjtë.
SHËRBÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Përmbushje e një detyre në vendin e punës (në ushtri, mjekësi etj.). Shërbimi në marinë (në kufi, në aviacion). Personeli i shërbimit. Mjeku i shërbimit.
2. Veprimtaria a puna që bëjmë në shërbim të të tjerëve. Shërbimi ndaj pacientëve. Shërbimi i klientit. Shërbimi ndaj tatimpaguesve.
3. Mënyrë se si bëhet një detyrë e caktuar. Shërbim i ngadalshëm (i shpejtë, i mirë, i kulturuar). Etika e shërbimit. Shërbim i kualifikuar. Shërbim me pagesë (pa pagesë).
4. Një ndërmarrje që bëjmë për dikë duke i shërbyer. E kryen mirë shërbimin. Shërbim në dhomë.
5. Të ngarkuarit me punë për një kohë të caktuar; puna që bëjmë kur shkojmë diku për të kryer një detyrë shtetërore, koha sa zgjat kjo punë. Pasaportë (vizë) shërbimi. Shërbim diplomatik. Shkoj me shërbim (në një ambasadë). Shërbim konsullor.
6. kryes. sh. Punime të ndryshme bujqësore që u bëhen bimëve; përkujdesjet për kafshët shtëpiake, puna që bëjmë për rritjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Shërbimet bujqësore (agroteknike). Shërbimet për perimet (fidanët, të lashtat). U bëj bimëve (bagëtive) të gjitha shërbimet. Kush nuk i bën shërbim kalit, bën udhën me këmbë. (fj. u.).
7. Të qenët në marrëdhënie pune gjatë një kohe të caktuar. Kam tridhjetë vjet në shërbim. Shërbim i gjatë.
8. Puna që bëhet nga një sistem i organizuar njësish të posaçme tekniko-administrative për të përmbushur nevoja të popullsisë. Zona e shërbimeve. Zyra e shërbimit. Rrjeti i shërbimit. Pikë shërbimi. Qendrat e shërbimeve. Drejtoria e shërbimeve. Shërbime digjitale.
9. Veprimtaria që zhvillohet nga institucione shtetërore të caktuara në disa fusha të ekonomisë, të transportit, të shëndetësisë, të kulturës etj.; njësia, institucioni etj. që kryen këtë veprimtari. Shërbimi postar (detar, hekurudhor, ajror). Shërbim shëndetësor (veterinar, zooteknik). Shërbim farmaceutik. Shërbimi i ndihmës së shpejtë. Shërbimi meteorologjik. Shërbimi i ndihmës së shpejtë. Shërbime ligjore. Shërbime sociale. Shërbime arsimore. Shërbime transporti. Shërbimet e pagave. Shërbimi i mbrojtjes së bimëve. Agjencia e Shërbimeve Sportive. Qendra e Shërbimeve Arsimore.
10. usht. Të qenët në radhët e ushtrisë për të kryer detyrën; detyra që i ngarkohet një ushtaraku nga komanda e tij. Shërbim në Forcat e Armatosura. Shërbim i detyrueshëm ushtarak. Shërbimi ushtarak aktiv. Shërbimi alternativ. Shërbimi në rezervë. Shërbim i detyrueshëm. Shërbim nate. Shërbim jashtë radhe. Kryej (marr, lë) shërbimin. Jam në shërbim.
11. Puna që bëjmë në të mirë të dikujt a të diçkaje. Shërbime të shquara. I bëj shërbim të madh atdheut. Për shërbime të larta.
12. sport. Veprimi i futjes së topit në lojë sipas disa rregullave të caktuara për të rinisur lojën (në volejboll, në pingpong e në tenis). Shërbim i gabuar. Vendi i shërbimit. Kreu (humbi) shërbimin.
13. fet. Shërbesë. Shërbim fetar punët që kryen famullitari a ndonjë person tjetër në detyrë për besimtarët e famullisë së vet a të bashkësisë së vet fetare.
14. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme ndihmesash që ofrohen në mënyrë shtetërore ose private në mënyrë të organizuar institucionale. Shërbimi bankar (ek). Shërbimi bankar elektronik (ek.) shërbim që i lejon klientët të përdorin lehtësisht shërbimet bankare përmes internetit. Shërbimi bankar nga shtëpia (ek.) transaksionet bankare që mund të kryhen nga shtëpia dhe jo në degë. Shërbimi Informativ Shtetëror (shkurt SHISH) organ shtetëror për mbledhjen e informatave të fshehta. Shërbim administrativ (drejt.) punë administrative të specializuara, të cilat, në raste të shpeshta, janë të organizuara në organe të mëvetësishme. Shërbim i huazimit shërbimi që u mundëson klientëve të një biblioteke të huazojnë materialet që mban një biblioteke. Shërbime për fëmijë kujdesje profesionale dhe të individualizuara për fëmijët e të gjitha moshave dhe aftësive. Shërbim bibliografik procesi i përpilimit të një liste përshkruese të materialeve të botuara (libra, artikuj periodikë etj.), si dhe të materialeve të pabotuara.
✱Sin.: kujdesje, përkujdesje, hyzmet, mirësi, e mirë, nder, detyrë, mision.
TAMPÓN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Lëndë e fortë ose e ngjeshur që shërben për të zënë një vrimë, ose për të ndaluar rrjedhjen e një lëngu; tapë, shtupë.
2. mjek. Masë e vogël garze ose pambuku, që shërben për të pastruar gjakun, lëkurën etj.; pambuk, garzë. Tampon i njomur me eter (me jod, me alkool). Tampon me pambuk të ngjeshur. Tampon periodik (higjienik) rrotëz cilindrike e ngjeshur prej pambuku, që përdorin vajzat e gratë gjatë të përmuajshmeve.
3. mjek. Shkopth me garzë a me pambuk të ngjeshur në krye për të pastruar një plagë a për të marrë material për analiza mjekësore (kryesisht në fyt e në hundë); terkishteIII.
4. zyrt. shtypshkr., zyrt. Shtresë pambuku a sfungjeri e njomur me bojë, brenda një kutie plastike a metalike, e cila shërben për për ngjyer vulën me bojë dhe për të vulosur dokumente; shenjë në një dokument zyrtar (në pasaportë, në certifikatë, në vërtetim etj.) Tampon vule. Vë një tampon në pasaportë e vulos. Tamponi i vulës. Ngjyej vulën në tamponin me bojë. Tampon me bojë të zezë (blu, të kuqe).
5. tek. Amortizator. Tamponët e lokomotivës.
6. fig. Zbutës goditjesh, që pengon a që zbut përplasjet midis dy sendeve a dy njerëzve. Shërben (është) si tampon midis dy njerëzve shërben si ndërmjetës, pengon përplasjet mes tyre. Herë-herë, burri është tampon mes nënës dhe nuses. Zonë tampon zonë që pengon përplasjet midis dy shteteve. Kujtesë tampon (e një kompjuteri) (inf.) disk që mbledh përkohësisht të dhëna.
✱Sin.: tapë, shtupë, pambuk, garzë, terkishte, amortizator.
TESQERÉ,~JA f. sh. ~, ~TË vjet. 1. Fletë lirimi që u jepej ushtarëve në kohën e pushtimit osman pas shërbimit ushtarak; lejekalim, fletëkalim; librezë ushtarake; pasaportë.
2. Fletë njoftimi për një ngjarje të caktuar. I dërgoi një tesqere. Tesqeretë e dasmës ftesat e dasmës. Tesqereja e vdekjes mandata.
UDHËZÚES,~E mb. 1. Që përcakton rrugët dhe mënyrat për të bërë një punë a për të zhvilluar një veprimtari, që tregon si të veprosh; që përmban udhëzime. Material udhëzues. Shkresë udhëzuese. Rregulla udhëzuese. Tekst udhëzues.
2. tek. Që përcakton drejtimin nga duhet të lëvizë një vegël tjetër. Mekanizmi udhëzues. Vidhë udhëzuese. Boshti udhëzues.
✱Sin.: këshillues, pasaportë.
VETIDENTIFIKÍM,~I m. Veprimi kur vetëidentifikohem. Vetidentifikim i vetvetes. Vetidentifikim me dokumente (kartë, pasaportë etj.).
✱Sin.: njëjtëzim, barazim.
VETIDENTIFIK/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR vetv. Identifikoj veten, duke treguar se kush jam duke u njëjtësuar me një dokument (kartë identiteti, pasaportë etj.) për të vërtetuar a argumentuar që jam unë. U vetidentifikua me pasaportën e tij.
✱Sin.: njëjtësohem, njëjtëzohem, barazohet, njëmendem.
VETIDENTIFIKÚES,~I m. sh. ~, ~IT Ai që identifikohet vetë në bazë të të dhënave që paraqet (kartë, pasaportë etj.). Vetidentifikues i vetvetes.
VETIDENTIFIKÚES/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Ajo që identifikohet vetë në bazë të të dhënave që paraqet (kartë, pasaportë etj.). Vetidentifikuese e vetvetes.
VIZÍM,~I m. 1. Veprimi kur vizoj a vizohet diçka. Vizimi i dërrasës së zezë. Vizimi i fushës së futbollit. Thikë për vizim (tek.). Vizimi i vijave të bardha për kalimtarët. Vizimi i skicës. Vizimi i fjalëve kryesore. Vizimi i paragrafit.
2. fig. Veprimi kur paraqesim në vija të përgjithshme, vizatojmë, përvijojmë (diçka). Vizimi i portretit nga kujtesa.
3. vjet. Veprimi kur vizatojmë diçka. Vizimi i një rrethi. Vizimi i një figure gjeometrike.
4. Bërja e vizës a shënimi i saj në pasaportë, në letërnjoftim. Vizimi i pasaportës. Ia bëri vizimin pasaportës.
✱Sin.: vijëzim, vizatim, nënvizim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë